Monday, March 27, 2017

Bizneset pëlqejnë më shumë Instagramin se sa Snapchatin

Në betejën e vazhdueshme ndërmjet Instagramit dhe Snapchat, paratë janë ato vendosin rezultatin dhe fituesin. Dhe siç duket shifrat e fundit tregojnë se bizneset duket se pëlqejnë më shumë Instagramin.

Snapchat numëron më shumë si 150 milion përdorues aktivë. Rivali i tij kryesor, Instagram, ka mbi 400 milionë prej tyre. Por kjo nuk është kërcënimi i vetëm për “fantazmën e bardhë”.
 Sipas studimeve të fundit të kryera nga RBC Capital Markets, në partneritet me revistën Ad Age, bizneset janë më pak të motivuar për të investuar në Snapchat se në Instagram. 65% nga 1.600 specialistë marketingu të anketuar kanë deklaruar se kanë qenë më të interesuar për të bërë reklama në Instagram, ndërsa më pak se 40% do të konsideroni të investonin për reklamë në Snapchat.
Shqetësimet e specialistëve të marketingut për Snapchat janë gjithmonë të njëjta: mungesa e ROI( return on investment) , nuk ka të dhëna analizuese, dhe rënie angazhimi nga përdoruesit. Dhe kompania e Snapchat nuk ka qenë në gjendje për të trajtuar këto probleme deri më tani. 

Në anën tjetër, Facebook që ka në pronësi Instagram,i ka kuptuar shpejtë të mirat e lidhjes së tij me Facebook Ads Menaxher; dhe rëndësinë e matjeve të statistikave për specialistët e marketingut. Këto janë arsyet kryesore që Snapchat nuk është kompania më e sukseshme ashtu siç pritej.
65% e bizneseve reklamojnë më shumë në Instagram. Më pak se 40% investojnë për reklamat në Snapchat.


Burimi: We Are Social Media (http://wersm.com

Friday, March 17, 2017

Fake News- si t'i dalloni lajmet false në prag fushate elektorale

Termi 'Fake News', ose lajmet false, shpërtheu gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Thuhet se ky fenomen u konsiderua si shkaku pse humbi kandidatja për presidente Hillari Klinton, e cila ndryshe nga Donald Trump përdori deri në fund mënyrat tradicionale të PR-it dhe fushatës elektorale. Disa zëra thonë se mjeshtër të përhapjes së 'Fake News' janë rusët, të cilët bënë të pamundurën që në këtë mënyrë të ndërhynin në zgjedhjet amerikane në favor të zgjedhjes së Trump.

Lajmet false kanë krijuar shumë konfuzion mes njerëzve: disa i besojnë totalisht, disa jo, të tjerët e ngatërrojnë me satirën. Deri diku sot e vërteta është bërë e pamundur për t'u kuptuar.
I tillë psh ishte lajmi për plagosjen e Donald Trump gjatë fushatës, që shumë shpejt rezultoi fals. Një tjetër lajm që doli fals ishte ai se SOROS po paguan protestues për të prishur rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Këtë lajm e përsëriti dhe vetë Trump disa herë, por rezultoi gjithashtu fals. Nga koha e lajmeve të tilla përfituan mijera dollarë mjaft njerëz manipulues. Vetëm në Maqedoni u hapën nga të rinj më shumë se 100 faqe pro-presidentit Trump duke përhapur lajme false dhe duke fituar disa qindra mijëra dollarë.

Në fakt, lajmet false fillimisht besohen, pasi ata që i ndajnë nuk i bëjnë fare të pamundura. Psh duke lënë shembujt perëndimore dhe duke u kthyer në Shqipëri, në lajmet e fundit të aktualitetit tonë, largimet e Ministrave të Qeverisë Rama, ka kohë që shoqërohen dhe me lajme të tipit: Rama drejt Dorëheqjes, apo ky ministër së shpejti në burg, ose lajme si ai i konteniereve me mbetje kimike që mbërritën në Shqipëri.
Në fushatën elektorale që po vjen lajme të tilla po shtohen dhe vertet qytetari është konfuz çfarë të lexojë dhe çfarë të pranojë si të vertetë.


Atëherë si të kuptohen këto lajme?

Së pari ato nuk përhapen nga media serioze, por nga portale te krijuara rishtaz, ose pa kredibilitet. Një paralajmërim i parë për qytetarët është ky: lajmin merreni nga mediat më prestigjoze, të njohura për ju, që nuk janë fantazma pa adresë, por media që kanë një stabilitet.

Së dyti nëse një lajm bombë, të pabesueshëm e keni parë në një portal serioz, kërkojeni për siguri dhe në një tjetër portal të ngjashëm apo kanal mediatik të njohur, pasi ndodh që të jetë hakeruar siç ndodhi në një rast me një twitter të BBC-së pak kohë më parë.

Së treti duroni pak, lajmi i pavertetë shuhet shumë shpejt. Ai mund të ndahet dhe mund të pëlqehet nga miliona vetë, por shumë shpejt ai del që është fals, siç doli që Trump nuk është plagosur, apo që Rama nuk ka asnjë plan për t'u dorëhequr, apo përgënjeshtrimi i doganave që asnjë kontenier me mbetje nuk ka hyrë në Shqipëri. Lajmi mund të përgënjeshtrohet në shumicën e rasteve nga vetë personi për të cilin flet ky lajm, pra nuk është e vështirë të vertetohet.

Së katërti në raste fushatash elektorale, mos besoni gjithçka që lexoni në media, pasi mediat në këto momente mbajnë padiskutim njërën anë. Në rast se keni një mendim për kë të votoni, që mund ta keni krijuar gjatë viteve të një qeverisjeje, mos prisni të ndikoheni në fund se për kë të hidhni votën. Beteja e lajmeve fals do jetë shumë e ashpër gjatë fushatës. Shkurt besojini vetes tuaj dhe jo kësaj beteje.

Së pesti, pikërisht një lajm që është shumë shumë i klikuar mund të jetë fals, pasi ky ka qenë qëllimi në vetvete i lajmit. Pra nëse një lajm pëlqehet në një kohë të shkurtër nga një numër i madh njerëzish ai mund të rezultojë fals. Ata që e përhapin duan sa më shumë lexues, dhe i sponsorizojnë pëlqimet.

Së gjashti, besojuni lajmeve me autorësi. Në rast se autori ka vendosur emrin poshtë, dhe ai është gazetar i njohur për ju, apo për komunitetin ku jetoni atëherë mund ta konsideroni si të vërtetë.

Së shtati kujdes: vetë politikanët mund të jenë përhapës të lajmit fals, por ju duhet ta kuptoni se ata shkurt mbrojnë vetëm njërën palë, pra veten e tyre, dhe u duhet të përhapin lajm të gënjeshtërt për të goditur kundërshtarin.

Në erën e mediave sociale dhe në zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë, lajmet false janë pjesë e këtij trendi, pasi gjithë kontenti është online, dhe gjithkush ka të drejtë të shkruajë. Nuk ka me limite, thjesht ne duhet të bëheni më të kujdesshëm për të përzgjedhur mes gjithë këtyre informacioneve, lajmin e duhur.

Wednesday, March 1, 2017

Si po zëvendohen televizionet nga mediat sociale?

Tendenca e ketij viti për të rritur rolin dhe ndikimin e videove live përmes mediave sociale po nxjerr jashte loje median tradicionale vizive. Ky trend ka mbërritur tashmë dhe në Shqipëri.
Facebook live apo Instagram live, jo vetëm që lidhin drejt përdrejt qytetarin  me atë që po ndodh realisht, por po mënjanojnë median tradicionale, zbehin nevojën për kudondodhjen e saj, pasi tashmë kameramanë janë vetë qytetarët, apo vetë institucionet që po i përqafojnë këto zhvillime të jashtëzakonshme të teknologjisë.


I pari që e dha këtë shembull në nivel institucional është presidenti amerikan Donald Trump, i cili nisi një erë të re në marrëdhëniet e institucionit më të lartë të SHBA me mediat. Ai gjykon se postimi i lajmeve të tij në Twitter e bën atë më të lidhur me votuesit dhe qytetarët, duke krijuar marrëdhënie personale me ta. Ai thotë madje se duke përdorur këtë komunikim të drejtpërdrejtë, shmang atë që bën media, e cila shpesh lajmit i jep deviacione sipas deshirës, apo  sipas ndonjë force politike që qëndron pas saj.

E ndërsa kjo mënyrë po kritikohet gjithandej, në Shqipëri po ndodh e njëjta gjë. Çdo gjë nisi me përgatitjen e kasetave të gatshme nga vetë politikanët apo institucionet gjatë fushatave zgjedhore, që u dërgoheshin televizioneve të montuara. Por kjo nuk e sfumonte fuqinë e mediave, pasi ato e kishin plotfuqinë ne eventet live. Pra nëse duhej të kishe mediat live, patjetër duhej t'u kërkojë atyre pjesëmarrje. 

Por sot veç celularëve apo Ipad-ve që e ofrojnë mundësinë për live, kanë dalë dhe aparate të sofistikuara të cilat transmetojnë live si në fb, twitter, instagram, madje kanë dhe opsionet për afrim apo largim imazhi dhe opsione të tjera të kamerave tradicionale. Sot sheh që institucionet shqiptare në çdo event transmetojnë live, kanë apo s'kanë kamera nga pas. Kështu në këtë mënyrë rëndësia e mediave tradicionale televizive po humbet. 
Nëse dikur ishin reklamat që devijuan të parat nga formati i televizioneve drejt mediat sociale, tashmë dhe lajmi po ndjek të njëjtin trend. Sot institucionet transmetojne live për fansat e tyre në social media dhe askush nuk shqetësohet për të thirur kamera, madje u thonë mediave që lajmin mund ta marrin prej transmetimit live të Facebook.

Pyetja që lind është: A po jetojmë në një erë të madhe ndryshimi në fushën e mediave? Pa diskutim që po. Fillimisht u zbehen gazetat, që u zëvendësuan nga portalet. Tashmë televizionet po zëvendësohen nga transmetimet Live në social media. Shumë njerëz nuk i ndjekin më me aq ankth e interes lajmet e mbrëmjes, pasi informacionin e kanë marrë në social media gjatë gjithë ditës. Qe teknologjia po zëvendëson mediat tradicionale nuk ka më diskutim. Por shumë pyetje ngrihen rreth kësaj situate: A është më profesionale kjo mënyrë e dhënies së lajmit? A duhet të centralizohet sërish media si pushtet? A është më pranë komunikimit me qytetarin dhe më pranë të vërtetës kjo mënyrë transmetimi i informacionit? Të gjitha janë enigma që në fakt nuk ka kush t'i zgjidhë, pasi teknologjia përparon shumë më shpejt sesa sistemet rregullatore të qeverisë për këto sfida të reja. Qeverive nuk u ngelet gjë tjetër, veçse ta përqafojnë këtë zhvillim teknologjik.