Friday, March 17, 2017

Fake News- si t'i dalloni lajmet false në prag fushate elektorale

Termi 'Fake News', ose lajmet false, shpërtheu gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Thuhet se ky fenomen u konsiderua si shkaku pse humbi kandidatja për presidente Hillari Klinton, e cila ndryshe nga Donald Trump përdori deri në fund mënyrat tradicionale të PR-it dhe fushatës elektorale. Disa zëra thonë se mjeshtër të përhapjes së 'Fake News' janë rusët, të cilët bënë të pamundurën që në këtë mënyrë të ndërhynin në zgjedhjet amerikane në favor të zgjedhjes së Trump.

Lajmet false kanë krijuar shumë konfuzion mes njerëzve: disa i besojnë totalisht, disa jo, të tjerët e ngatërrojnë me satirën. Deri diku sot e vërteta është bërë e pamundur për t'u kuptuar.
I tillë psh ishte lajmi për plagosjen e Donald Trump gjatë fushatës, që shumë shpejt rezultoi fals. Një tjetër lajm që doli fals ishte ai se SOROS po paguan protestues për të prishur rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Këtë lajm e përsëriti dhe vetë Trump disa herë, por rezultoi gjithashtu fals. Nga koha e lajmeve të tilla përfituan mijera dollarë mjaft njerëz manipulues. Vetëm në Maqedoni u hapën nga të rinj më shumë se 100 faqe pro-presidentit Trump duke përhapur lajme false dhe duke fituar disa qindra mijëra dollarë.

Në fakt, lajmet false fillimisht besohen, pasi ata që i ndajnë nuk i bëjnë fare të pamundura. Psh duke lënë shembujt perëndimore dhe duke u kthyer në Shqipëri, në lajmet e fundit të aktualitetit tonë, largimet e Ministrave të Qeverisë Rama, ka kohë që shoqërohen dhe me lajme të tipit: Rama drejt Dorëheqjes, apo ky ministër së shpejti në burg, ose lajme si ai i konteniereve me mbetje kimike që mbërritën në Shqipëri.
Në fushatën elektorale që po vjen lajme të tilla po shtohen dhe vertet qytetari është konfuz çfarë të lexojë dhe çfarë të pranojë si të vertetë.


Atëherë si të kuptohen këto lajme?

Së pari ato nuk përhapen nga media serioze, por nga portale te krijuara rishtaz, ose pa kredibilitet. Një paralajmërim i parë për qytetarët është ky: lajmin merreni nga mediat më prestigjoze, të njohura për ju, që nuk janë fantazma pa adresë, por media që kanë një stabilitet.

Së dyti nëse një lajm bombë, të pabesueshëm e keni parë në një portal serioz, kërkojeni për siguri dhe në një tjetër portal të ngjashëm apo kanal mediatik të njohur, pasi ndodh që të jetë hakeruar siç ndodhi në një rast me një twitter të BBC-së pak kohë më parë.

Së treti duroni pak, lajmi i pavertetë shuhet shumë shpejt. Ai mund të ndahet dhe mund të pëlqehet nga miliona vetë, por shumë shpejt ai del që është fals, siç doli që Trump nuk është plagosur, apo që Rama nuk ka asnjë plan për t'u dorëhequr, apo përgënjeshtrimi i doganave që asnjë kontenier me mbetje nuk ka hyrë në Shqipëri. Lajmi mund të përgënjeshtrohet në shumicën e rasteve nga vetë personi për të cilin flet ky lajm, pra nuk është e vështirë të vertetohet.

Së katërti në raste fushatash elektorale, mos besoni gjithçka që lexoni në media, pasi mediat në këto momente mbajnë padiskutim njërën anë. Në rast se keni një mendim për kë të votoni, që mund ta keni krijuar gjatë viteve të një qeverisjeje, mos prisni të ndikoheni në fund se për kë të hidhni votën. Beteja e lajmeve fals do jetë shumë e ashpër gjatë fushatës. Shkurt besojini vetes tuaj dhe jo kësaj beteje.

Së pesti, pikërisht një lajm që është shumë shumë i klikuar mund të jetë fals, pasi ky ka qenë qëllimi në vetvete i lajmit. Pra nëse një lajm pëlqehet në një kohë të shkurtër nga një numër i madh njerëzish ai mund të rezultojë fals. Ata që e përhapin duan sa më shumë lexues, dhe i sponsorizojnë pëlqimet.

Së gjashti, besojuni lajmeve me autorësi. Në rast se autori ka vendosur emrin poshtë, dhe ai është gazetar i njohur për ju, apo për komunitetin ku jetoni atëherë mund ta konsideroni si të vërtetë.

Së shtati kujdes: vetë politikanët mund të jenë përhapës të lajmit fals, por ju duhet ta kuptoni se ata shkurt mbrojnë vetëm njërën palë, pra veten e tyre, dhe u duhet të përhapin lajm të gënjeshtërt për të goditur kundërshtarin.

Në erën e mediave sociale dhe në zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë, lajmet false janë pjesë e këtij trendi, pasi gjithë kontenti është online, dhe gjithkush ka të drejtë të shkruajë. Nuk ka me limite, thjesht ne duhet të bëheni më të kujdesshëm për të përzgjedhur mes gjithë këtyre informacioneve, lajmin e duhur.