
Facebook live apo Instagram live, jo vetëm që lidhin drejt përdrejt qytetarin me atë që po ndodh realisht, por po mënjanojnë median tradicionale, zbehin nevojën për kudondodhjen e saj, pasi tashmë kameramanë janë vetë qytetarët, apo vetë institucionet që po i përqafojnë këto zhvillime të jashtëzakonshme të teknologjisë.
I pari që e dha këtë shembull në nivel institucional është presidenti amerikan Donald Trump, i cili nisi një erë të re në marrëdhëniet e institucionit më të lartë të SHBA me mediat. Ai gjykon se postimi i lajmeve të tij në Twitter e bën atë më të lidhur me votuesit dhe qytetarët, duke krijuar marrëdhënie personale me ta. Ai thotë madje se duke përdorur këtë komunikim të drejtpërdrejtë, shmang atë që bën media, e cila shpesh lajmit i jep deviacione sipas deshirës, apo sipas ndonjë force politike që qëndron pas saj.
E ndërsa kjo mënyrë po kritikohet gjithandej, në Shqipëri po ndodh e njëjta gjë. Çdo gjë nisi me përgatitjen e kasetave të gatshme nga vetë politikanët apo institucionet gjatë fushatave zgjedhore, që u dërgoheshin televizioneve të montuara. Por kjo nuk e sfumonte fuqinë e mediave, pasi ato e kishin plotfuqinë ne eventet live. Pra nëse duhej të kishe mediat live, patjetër duhej t'u kërkojë atyre pjesëmarrje.

Nëse dikur ishin reklamat që devijuan të parat nga formati i televizioneve drejt mediat sociale, tashmë dhe lajmi po ndjek të njëjtin trend. Sot institucionet transmetojne live për fansat e tyre në social media dhe askush nuk shqetësohet për të thirur kamera, madje u thonë mediave që lajmin mund ta marrin prej transmetimit live të Facebook.
Pyetja që lind është: A po jetojmë në një erë të madhe ndryshimi në fushën e mediave? Pa diskutim që po. Fillimisht u zbehen gazetat, që u zëvendësuan nga portalet. Tashmë televizionet po zëvendësohen nga transmetimet Live në social media. Shumë njerëz nuk i ndjekin më me aq ankth e interes lajmet e mbrëmjes, pasi informacionin e kanë marrë në social media gjatë gjithë ditës. Qe teknologjia po zëvendëson mediat tradicionale nuk ka më diskutim. Por shumë pyetje ngrihen rreth kësaj situate: A është më profesionale kjo mënyrë e dhënies së lajmit? A duhet të centralizohet sërish media si pushtet? A është më pranë komunikimit me qytetarin dhe më pranë të vërtetës kjo mënyrë transmetimi i informacionit? Të gjitha janë enigma që në fakt nuk ka kush t'i zgjidhë, pasi teknologjia përparon shumë më shpejt sesa sistemet rregullatore të qeverisë për këto sfida të reja. Qeverive nuk u ngelet gjë tjetër, veçse ta përqafojnë këtë zhvillim teknologjik.
No comments:
Post a Comment