Monday, May 15, 2017

Event në Tirane: Të ndash me të tjerët dështimet në sipërmarrje

Fitorja më e ëmbël është edhe ajo më e vështira, ajo që ju kërkon të luftoni me çdo gjë që keni, të jeni të gatshëm të përballoni çdo sfidë. Shoqëria nuk vlerëson humbjen dhe nuk do të gjeni shumë humbje të dokumentuara në librat e historisë. Pothuajse të gjithë e dinë historinë e Tomas Edison për shpikjen e llampës, ku provoi 1000 mënyra për të gjetur zgjidhjen e duhur.
Erion Veliaj ne eventin FuckUp Nights Tirana
Por le të mos shkojmë kaq larg për të folur për dështimet. Në Tiranë të shtunën, 13 Maj, eventi “FuckUp Nights”, u organizua nga Ministria e Inovacionit në kuadër të Javës së Inovacionit në Shqipëri.
FuckUp Nights është një lëvizje globale e krijuar në Meksikë në 2012 për të ndarë me njerëzit historitë e dështimit në sipërmarrje. Në këtë event ishin katër  të ftuar nga fusha të ndryshme: Erion Veliaj, Gianni De Biasi, Rovena Dilo dhe Milena Harito. Secili pati në dispozicion 7 minuta kohë për të folur për dështimin e tyre më të madh, ndërkohë në monitor shfaqeshin 10 imazhe që tregonin momente të suksesit të tyre.
Një hapësirë tjetër ishte moment i pyetjeve nga publiku për secilin nga të ftuarit, ku secila pyetje kërkonte të zbulonte ndonjë detaj më shumë të historisë së dështimit. Të gjithë i njohim këto katër figura publike, Erion Veliaj nga fusha e politikës, Gianni De Biasi nga sporti, Rovena Dilo nga arti dhe Milena Harito sërish nga politika. I njohim për shkak të suksesit në fushën tyre, ku vështirë se mund të mendosh që mund të kenë patur dështime.
Kryebashkiaku Veliaj, rrëfeu një nga momentet më të vështira të fillimit të karrierës së tij në politikë me lëvizjen G99.
Ndërsa Ministrja e Inovacionit, Milena Harito ndau me publikun sfidat dhe vështirësitë që hasi në Francë si studente dhe si ia doli mbanë në atë vend ku nuk e njihte askush.
Milena Harito ne eventin FuckUp Nights Tirana
Gianni De Biasi, trajneri i kombëtares shqiptare, e cilësoi veten si njeriu i cili mund të flasë më mirë për humbjet dhe forcën që gjen pas humbjes. Ai tregoi edhe për humbjet me skuadrën tonë kombëtare të futbollit dhe se si gjente motivin për të vazhduar dhe inkurajuar dhe futbollistët.
Gianni De Biasi ne eventin FuckUp Nights Tirana
E ftuara e katërt ishte këngëtarja e njohur Rovena Dilo, e cila me sportivitetin e saj zbuloi dhe anën e errët të artit të muzikës, atë të zhgënjimit nga kolegët. Me anë të rrëfimit të saj, ajo ndau edhe disa këshilla për publikun për të kaluar lehtë dështimet në jetë.
Rovena Dilo ne eventin FuckUp Nights Tirana
Por, për çfarë shërbeu e gjithë kjo “natë dështimesh”?  Qëllimi i kësaj nate është inkurajimi për të punuar pa u lodhur, pavarësisht sfidave dhe disfatave, suksesi është për ata që luftojnë deri në fund. Dështimi është mësimi më i mirë dhe humbja të bën më të fortë.