Tuesday, February 6, 2018

Piramida e Tiranës së shpejti qendra IT më e madhe e Ballkanit

Gjatë edicionit të 6-të të ICTAwards, kryetari i bashkisë Tiranë, Z. Veliaj ka dhënë një lajm të mirë për funksionin e ri që do të ketë Piramida e Tiranës.
Piramida do të shndërrohet shumë shpejt në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e iniciativash, por edhe si një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.


Veliaj u shpreh se pas Jerevanit, Londrës dhe Parisit, Tirana do të jetë qyteti i katërt që do të aplikojë një nga konceptet më të mira në fushën e teknologjisë dixhitale.
“Ky qytet po funksionon pak më mirë sot megjithatë unë prapë them nuk mjafton. Kjo është një nga arsyet pse ne kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm për ta kthyer të gjithë Piramidën e Tiranës në qendrën më të madhe të IT në rajon. Ne jemi duke punuar me një organizatë që quhet Tumo. Tumo është një organizatë me origjinë nga Amerika, një grup amerikano-armen, që filloi punën për herë të parë në Jerevan. Bëhet fjalë për një shkollë inovatore për kulturën dixhitale dhe varion nga kodimi dhe software design deri të kinema, film, fotografi, montazh dhe shumë prej proceseve të tjera. Çdo ditë në Jerevan hyjnë dhe dalin nga kjo qendër 4 mijë të rinj dhe kur them të rinj edhe fëmijë, pra nga mosha 4-24 vjeç. Aq i suksesshëm është projekti saqë për punë ditësh hapet në qendër të Parisit dhe në qendër të Londrës. Ne do të jemi qyteti i katërt që do të aplikojë konceptin Tumo dhe unë këtu i jam shumë mirënjohës edhe kryeministrit edhe qeverisë shqiptare sepse na ka dhënë pronën më të lakmuar në qytet, Piramidën e Tiranës, për ta transformuar në një projekt të tillë”, tha Veliaj.
Piramida do të jetë qendër gjigante multifunksionale kryesisht me fokus kulturën dixhitale.